e enjte, 8 dhjetor 2011

E Drejta e Prones



E Drejta e Prones
          pjese nga libri
DINJITETI  HUMAN
   “Kush është pjesë e turmës
    ndjehet i lumtur edhe pa dinjitet...”
                                                                                                                       F.Nitche

         Studim :nga

Eleonora dhe Kostantin Gjoka

                                                                                                                                  Himare 2008
Përkushtim
Ju kushtohet emigrantëve shqiptarë që bredhin rrugëve të botës pa personalitetin perkates, veçanërisht azilantëve të cilët duhet të kthehen qe të mos e lënë dinjitetin e bashkëatdhetarëve dhe të kombit tonë në duart e personave te pa afttë, të egër e të pa ngopur.

Përmbajtja e lëndës
Parathënie      
1. DINJITETI  HUMAN       
2. E DREJTA E TOKËS       
3. E DREJTA E BESIMIT    
4. E  DREJTA  E ARMËS    


Parathenie
Sistemi shoqëror më optimal në ditët e sotme quhet sistemi demokratik, i cili në themelet e tij ka të Drejtat e Njeriut. Por të flasësh për të Drejtat e Njeriut, të gjithë e kuptojnë se është një shprehje e përmendur vetëm në dokumentet e Kombeve të Bashkuara ose të Këshillit të Vatikanit.
Të drejtat nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm dinjiteti, ose më thjesht, personaliteti i personit. E drejta humane është dinjiteti human i një jete të përshkruar nga veprime të ndërgjegjshme e norma morale, ku Virtuti merr vlera dhe e Mira mbizotëron. Dinjiteti krijohet dhe është i qendrushëm kur e ka bazen në ligjet e Natyres, në zbatimin e tyre nga shoqëria, nga shteti. Një njeri ka dinjitet kur nuk i mohohen të drejtat natyrale, por me ligj i garantohen ato. Këto të drejta janë:
E Drejta e Tokës (pronës), e Drejta e Besimit dhe e Drejta për të mbajtur dhe përdorur Armë. Në këtë libër paraqesim pjesë nga studimi i plotë i bërë prej New York Center for Albanian Studies & Research.
 Materialet janë shkruar anglisht në origjinal dhe jepen të përkthyera  pjesërisht.

2. E DREJTA E PRONëS (TOKëS)
Qeverisja me Ligje dhe Liria në Lindjen e Demokracisë.
Një perspektive Madisioniane.

Renia e sistemit komunist më 1989 në Evropen lindore dhe qen­drore dhe dy vjet më pas e Bashkimit Sovjetik, e rriti numrin e shteteve demokratike në botë në 120. Por nga këto vetëm 85 janë klasifikuar si të “Lira”. Që të krijohet një shoqëri e lirë kërkohet një qeveri e kufizuar, ku të drejtojë me ligje dhe të mbrojë të drejtën e pronës.
Për lindjen e demokracisë mund të mësojmë nga vizioni konstitucional i James Madisonit
Rreziku qëndron në strukturën pa kufi të qeverisë. Të drejtat individuale humbasin interesin special, shoqëria bëhet e dobët dhe çdo aspekt i jetës politizohet. Në vend që shteti të bëhet më pak i dukshëm, bëhet më i fortë.
Për Madisonin, “esenca e qeverisë është pushteti, dhe pushteti i përqendruar në duar humane nuk kalon në abuzi­me.’’ Pyetja kryesore që bën Madisoni së bashku me hartu­esit e tjerë të kushtetutës Amerikane është se si mund të parandalohet abuzimi i fuqisë së qeverisë, në mbrojtjen individuale të jetës, lirisë dhe pronës.
Qëllimi i Madisonit ishte të krijonte një bazë dhe strukturë në qeveri, që të mbronte personin, pronën dhe t’i qëndrojë testit të kohës. Qëllimi i tij ishte - drejtësia sipas ligjeve të lirisë. “Personi dhe prona janë dy subjekte ku qeveria vepron, e drejta e personit dhe e drejta e pronës, janë objekte për t’u mbrojtur, për të cilën është ngritur qeveria.”
Sipas Madisonit, drejtësia, liria dhe prona janë të pandara. “Vetëm kështu kemi një qeveri të drejtë” shkruante Madi­soni. Ai pranon dallimin që bën Adam Smithi në të drejtën-përfekte dhe jo-perfekte, ku e drejta perfekte shoqërohet me drejtësi, kurse drejtësia jo përfekte shoqërohet me forcë. E drejta jo perfekte si e “drejta për mirëqënie” janë të drejta në sensin metaforik, ato nuk praktikohen pa cënuar të drejtën e pronës së dikujt tjetër.

Drejtësia e vërtetë kërkon mbrojtjen e të Drejtës së pronës.Asnjeri nuk ka të drejtë të kompesojë me paret e njerëzve të tjerë.
Madisoni përkrah mendimin e klasikëve liberalë për demokracinë, që konsiston në qeveri të kufizuar, dhe në qeverisje me ligje, sesa në mendimin e liberalëve modernë, ku qeveria demokratike është e pakufizuar. Ky këndvë­shtrim i demokracisë bie ndesh me mirëqenien e shtetit dhe pikëpamjen e hapur për qeverinë demokratike. Sot në lindjen dhe formimin e demokracisë, qeverisja me ligje dhe liria janë sakrifikuar nga shumica e politikanëve, gjë që përbën një rrezik të dukshëm.
Madisoni mbështeste një qeveri të kufizuar jo thjesht si mendim, por për të mbrojtur personat dhe pronën nga korrup­sioni. Mbështeste tregun e lirë dhe kundërshtonte ndërhyrjen e qeverisë në të. Ai e quante veten “mik të një sistemi tregëtar me të vërtetë të lirë, ku pengesat ligjore në përgjithësi janë të padrejta, janë pranga, shtypëse dhe jo politike.”
Më 1792 Madison shkruante, ‘’Liria dhe rregulli kurrë nuk do të jenë të sigurta, derisa do të ketë ndërhyrje në të drejtat e personit, dhe qytetari të mos jetë kthyer në një Argus për të spiunuar.’’
Argus është një gjigant me 100-nd sy, që shërben si rrojë, në ketë rast përgjon lirinë tonë. Në një shoqëri të lirë qytetari duhet të jetë vigjilent, por për të shikuar larg në perspektivë dhe të përdorë arsyen në ruajtjen e lirisë dhe të pronës së tij.
Për krijimin e një Demokracie ka disa thënie që mund të mësojmë nga pikëpamja konstitucionale e Madisonit:
Për të ekzistuar një demokraci e vërtetë, qeveria duhet të jete sa më e vogël dhe si detyrë kryesore të quajë sigurimin e personit dhe të pronës, duke i dhënë më tepër prioritet politikës elektorale.
Për t’u ruajtur nga degjenerimi dhe korrupsioni, të ruhet ekzistenca e lirisë; populli duhet të pranojë qeverisjen sipas ligjeve që trajton njerëzit të barabartë ndaj ligjit, ruan të drejtën ndaj pronës private dhe lirinë e personit.
Roli i qeverisë të jetë minimal në ekonomi dhe t’i lerë njerëzit të lirë për të zgjedhur.
Një shoqëri e lirë nuk mund të bashkëjetojë me një shtet, ku në emër të krijimit të drejtësisë, ka shkelje ose mohime të së drejtës. (e drejtë e lirisë, e tokës, e pasurisë, e besimit, etj.)
Përvetësimi dhe zbatimi i këtyre mësimeve në shtetet që kalojnë në demokraci, si Shqipëria p.sh., varet nga ndikimi i regjimit të vjetër. Shtetet me qeveri që kanë përqendruar në duart e tyre gjithçka, deri në planifikime me kohë të gjatë, do të kenë zhvillim shumë të ngadaltë në krahasim me shtetet ku qeveritë e tyre janë të vogla por me vëmendje tek liria e personit dhe e drejta e tij për tokën dhe pronën në përgjithësi.
Shtetet ish komuniste që para luftës sundonin në bazë të ligjit dhe respektonin të drejten e pronës, si Hungaria, Polonia, dhe Sllovenia, shënuan progres. Ato kaluan lehtë në drejtimin e shtetit të ri në bazë të ligjit, tokën dhe çdo prone tjetër ja kthyen të zotit të ligjshëm, minimizuan korrupsionin, gjë që mbas 20 vjetëve, nuk po ndodh akoma në Shqipëri.
Sipas visionit madisionian, që të lindi dhe të formohet një demokraci e vërtetë, duhet të jetë qeverisja e mbështetur plotësisht në bazë të ligjeve. Qytetarët dhe udhëheqësit duhet të mendojnë rreth qëllimit të qeverisë e cila bëhet e rrezik­shme kur s’ka limit dhe qëllim. Qëllimi i vetëm duhet të jetë: dhënia me ligj e të drejtave, ruajtja e të Drejtës së lirisë, të pronës dhe besimit të lirë, respektimi i personalitetit dhe dinjitetit të njeriut.
Historia provoi që Madisoni kishte të drejtë dhe Marksi ishte gabim. E ardhmja e lirisë dhe demokracisë përshtatet me visionin madisionian.

E Drejta e Pronës dhe Rregullimi i Ambientit
E drejta e fitimit, e përdorimit dhe e tjetërsimit të pronës është një nga bazat më me vlerë në mendimin e kushtetutës Anglo - Amerikane.20 Ky vlerësim dhe përcaktim mungon në kushtetutën Shqiptare. Në Amerike historikisht respekti për pronën private është parë si bazë për pavarësinë indivi­duale dhe gëzimin e të Drejtës së lirisë.21 Reflektimi i kësaj lidhjeje midis lirisë dhe pronës në kushtetutën e një vendi, federal dhe shtetëror, mbart garantimin e pronësisë private.22
Megjithatë, si të gjitha të drejtat individuale, e drejta e pronësisë asnjëherë nuk ka qenë perfekte. Nxirren shumë ligje të rregullimit dhe të ruajtjes së ambjentit që kufizojnë të drejtën e pronarit të tokave.23 Kjo fazë nuk përbën problem kryesor tek ne, sepse akoma nuk është kthyer prona tek i zoti. Akoma ekzistojnë dhe ruhen me fanatizëm nga fanatikët në pushtet, ligje si 7501, që kanë cënuar të drejtën e pronarit, të drejtën e lirisë, të drejtën më humane dhe më natyrale të njerëzimit.
Çeshtja e pronës në Amendamentin e pestë të Kushtetutës Amerikane është futur si pjesë e “The Bill of Rights’’ ku thuhet se asnjë personi nuk i merret me forcë jeta, liria, ose prona, pa vendimin e një procesi gjyqësor, as prona private nuk merret për përdorim publik pa kompensim.
Kompensimi bëhet duke u bazuar në ligje dhe në qoftë se nuk ka ligje për kompensim, toka ose prona private e çdo forme, nuk preket. Kompensimi nuk është formal, por sipas çmimeve të tregut të lirë, sipas vlerës që do të përdoret në të ardhmen.24

Prona Private dhe Politika e Ruajtes se Ambientit
Prona private luan dy role në problemin e ambientit. Roli i parë negativ, është se pronarët janë pak të interesuar për të investuar në mosprishjen e ambientit. Kontrolli publik është më i dobët. Studimet dhe planifikimet shtetërore realizohen më shumë vështirësi.25
Roli i dytë pozitiv, konsiston në mundësinë e vendosjes së rregullimit të ambientit në tregun e lirë. Por në këtë rast kërkohen ligje të plota dhe të përcaktuara mirë të së Drejtës së pronës.26 Problemet e ambientit në tregun e lirë do të gjejnë zgjidhje vetëm tek prona private.
Sistemi privat i pronës stimulon formulimin e disa ligjeve të quajtura ligje private. Nëpërmjet ligjeve private, prona private bëhet një mekanizëm i fuqishëm në përdorimin e burimeve private në dispozicion të kërkimeve, investimeve, për rregullimin, përmi­rësimin dhe ruajtjen e ambientit nga ndotja, nga shkatërrimi, etj.
Praktika ka treguar se marrja e pronës nga shteti, natyrisht me kompensim të plotë, dhe puna në të për përmirësimin e ambientit, ka dhënë rezultat më të dobët, se kur prona është private dhe vetë pronarët interesohen për ambientin.
Prona private krijon pasuri, fitim, detyron pronarët të japin fonde për moskeqësimin e ambientit, duke krijuar kushte me efektive për rregullim. Sipas Karl Marksit kjo është kontradiktore në rolin e pronës private. Por këtu nuk ka kontradikte, veçse duhet pak balancë në ligjet që kujdesen për pronën private, ligjet e taksave, ligjet e shpronësimeve dhe ligjet e ruajtjes së ambientit.27

E Drejta e Tokës
Pico della Mirandola (1463-1494) shkruan se Zoti e bëri njeriun dhe e vendosi në mes të tokës. I tha se gjithçka është bërë prej tij. Bëju zot i saj dhe jeto me të. Tek arabët e lashtë pyetën Azdalah Saracen se cila është gjëja më e mirë në botë për të. Ai u përgjigj: “Si njeriu nuk ka gjë më të përsosur në botë”.
Hermes Trismegistus thotë “Njeriu është mrekullia më e madhe në botë”. Asclepius i Athines thotë: “Njeriu është në mes të çdo gjëje mbi tokë, skllav i atyre që ka përreth, mbret i atyre që ka poshtë, përfaqësues i natyrës, me sens të mprehtë, kërkues i arsyes, me dritë në kuptimin ndërmjet kohës dhe pafundësisë”.
Sipas Persianeve të lashtë, njeriu është kupola e universit. Sipas Davidit, njeriu është një ëngjëll në martesën e tij.
Por njeriu që të jetojë duhet të shfrytëzojë ambien­tin përreth, tokën, pemët. Asclepius ishte në gjendje të transfor­monte natyrën në interes të tij. Hebrejtë ndihmuan në transformimin e natyrës me teologjinë e tyre. Pitagorianët hapën dyert për fushat e shkencave.
Muhameti thotë se njeriu po të bazohet në ligjet e shenjta bëhet edhe më i mirë. Persiani Evanthes në teologjinë Chaldean thotë se njeriu është një kafshë e ndryshueshme, e shumëllojshme, me natyrë jo të qendrueshme, por i qetë në tokën e tij.
Në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, neni 17 thotë: “Askush s’mundet arbitrarisht të marrë pronën e njeriut”.
Niccolo Machiaveli (1469-1527) bashkëkohës me Miran­dolën, jetuan në Florencë. Ai e përcakton njeriun me karakte­ristika të kundërta me Mirandolen. Makiaveli thotë se njeriu (ai nënkupton politikanin në çdo kohë) është mosmirënjohes, i paqendrueshëm, i trembur, hipokrit e egoist.
Frederik Bastiati (1801-1850) ishte udhëheqës i lëvizjes për “tregun e lirë” në Francë, jurist, ekonomist, dijetar. Sipas tij, njeriu ka nga Zoti dhuratë jetën, intelektin. Por jeta nuk është e garantuar për të, vetë njeriu ka përgjegjësi. Që të jetojë duhet të shfrytëzojë burimet e natyrës, vetinë e tokës për të prodhuar ushqim. Ekzistenca kërkon Liri, Pasuri.
Nga natyra secili ka të drejtë të mbrojë vetë jetën, lirinë, dhe pasurinë me forcë. Një kolektiv ka po këtë të drejtë, të drejtën individuale për t’i mbrojtur që të tria po me forcë. Asnjë person ose kolektiv nuk ka të drejtën të përdorë forcë kundrejt jetës, lirisë dhe pronës së tjetrit, si rrjedhim njerëzit të bashkuar nxorën ligjet. Ligji është për të bërë legjitim vetë mbrojtjen e të Drejtës natyrale.
Shteti, qeveria po për këtë qëllim nxjerr ligje. Në qoftë se ligjet nuk luajnë rolin për të cilin janë formular, me kalimin e kohës “bëhen” indiferente ndaj lirisë dhe pronës. Njeriu nga natyra bëhet grabitës e i shmanget punës, ndërsa reagon ndaj padrejtësive që e bëjnë viktimë.
Sipas Bastiatit, egjiptianët e lashtë e kishin shumë të theksuar dashurinë për tokën. Atje toka shkonte nga babai tek djali. Në Persi detyra e parë dhe më kryesore që kishte Princi, ishte puna në bujqësi, agrikultura. Helenët nga natyra shumë inteligjente dhe kurajoze, kishin mësuar nga egjiptianët të respektonin dhe të gjenin të mirat nën ligjin, për këtë ata e vlerësonin shumë tokën.
Feneloni (1651-1715), dijetar francez, shkruan se egjipti­anët e lashtë kanë qenë vazhdimisht të lumtur, sepse mbreti i tyre kujdesej që secili të kishte tokën e tij. Sipas tij ligjet më të përsosura deri më sot i ka pasë Mbreti Minos në Kretë ku si fshatari, si qytetari edhe luftëtarët e ikur me familje nëpër brigjet e Mesdheut, kishin tokat, pronat e tyre, të trashëguara dhe të mbrojtura me ligj.
Oliver de Seres, themeluesi i agrikulturës franceze (1539-1619) nxori ligje që fshatari më i varfër duhet të ketë ose t’i jepet tokë, aq sa është në gjendje ta punojë, ndërsa me të pasurit duhet ta punojnë patjetër tokën. Me ligj nuk mund t’ua marrësh tokën, por harto ligje të tilla që të jenë që të gjithë të kënaqur.
Në Greqi ka pasë dy republika, e Spartës që ishte vetëm ushtarake dhe e Athinës, që ishte tregëtare. Në të parën secili mundohej të ishte ideal, ndërsa tek e dyta qytetarët e republikës ishin të kënaqur me dashuri dhe punë.
Në Spartë, Likurgu kishte kombinuar në mënyrë të shkëlqyer ligjet që si skllavi, si i liri të jetonin në qetësi. Kudo që shkonin ushtarët fitonin, por pronat e tjetrit nuk i preknin. Plaçkitja, rrëmbimi i pasurisë ose i tokës nuk njihej. Prandaj sa jetoi kjo republikë kishte vetëm lavdi.
Po kështu në republikën tjetër, në atë të Athinës, u arrit në sajë të ligjeve që kishin, një fenomen i jashtëzakonshëm. Në institucionet e saj nuk njihej korrupsioni. Ligjbërësit nuk ishin vetëm dijetarë, por kishin ndershmëri natyrale. I njëjti autor përmend Paraguajin ku krimet ndaj pronës së tjetrit, pothuajse nuk ekzistonin. Platoni tek “Republika” thotë “që institucionet dhe shteti të funksionojë mirë, duhet që e gjithë prona të jetë private.”
Raynal (1713-1786) filozof francez thotë se klimën e bën ajri dhe toka. Kur u bënë zbulimet gjeografike dhe gjendej një ishull, shikohej toka, ishte apo jo pjellore. Kur takonin një ishull ose vend me tokë të mirë, e kthenin në koloni dhe tokë merrte vetëm burri.
Kondillak, figurë e shquar e Rilindjes Evropiane, në veprat e të cilit u mbështeten filozofët amerikanë si John Locke etj. thotë: “Si këtu, si në koloni, të punojmë sipas modelit të Likurgut dhe Solonit, të bëjmë ligjet sipas tyre që të mos preket asnjë interes”. Çdo shtet ka pasë ligje, por pak kanë qenë të lumtur. E kanë gëzuar jetën vetëm atje ku ligji nuk prek pronën personale, tokën, këtë të drejtë që e kemi së bashku me jetën dhe lirinë nga natyra.
Ligji duhet të sigurojë dy gjera : Stabilitet, barazi në të drejtën e pronës dhe dinjitet tek qytetarët. Në qoftë se ke siguri në pronën, ke dhe dinjitet, krenari e prosperitet. Asnjë shtet deri më sot nuk ka arritur nivelin e ligjeve të Spartës ku funksiononin në mënyrë të përsosur rakordimet me ligjet e natyrës dhe të barazisë.
Nuk është surprizë të themi që raca e njerëzimit në përgjithësi dhe ajo e jona në veçanti, është një masë inerte, që pret të marrë çfarëdo forme, figure, impulsi, lëvizjeje dhe shprehje nga ndonjë mosketier si Noli, bajraktar si Zogu, diktator si Enveri, aventurier si Sala, miop dhe kusar si Nano. (përcaktimi nga këndvështrimi i trajtimit të tokës që na morën në Bregdet).
Lepeletier, tjetër filozof francez,thotë se njerëzit janë njëlloj si materiali që rrjedh. E mira dhe e keqja nuk janë për të, por janë vetëm për atë që e udhëheq këtë masë.
Liria nuk konsiston vetëm në garantimin e te drejtës, por në dhënien e fuqisë tek njeriu për të zhvilluar mundësitë, kapacitetet e tij, pronën, nën rregullat e drejtësisë dhe të mbrojtura nga ligji.
Ligji ka fuqi absolute mbi personin dhe mbi pasurinë e tij. Ligji është drejtësi. Ai duhet të mbrojë të drejtën e një personi nga veprimet e dikujt. Çdo njeri ka të drejtë të përdorë forcën për të mbrojtur të drejtën e tij, lirinë, pronën. Forca e një kolektivi që është bashkimi i forcave të shumë individëve, nuk mund të përdoret, sepse të gjithë kur u bashkuan, nxorën ligjin. Pra ligji duhet të mbrojë personin dhe pasurinë e tij.
Kush bashkohet për të bërë rrezistencë ndaj marrjes së tokës nga hajdutët ose edhe nga ligjet e qeverive të tyre hajdute, me siguri do ta trashëgojë tokën. Rrezistenca për të mbrojtur tokën tënde, duhet të jetë e gjithanshme duke përdorë të gjitha mënyrat që na mëson Zoti që na dha dhe jetën, se jeta pa tokën s’është e mundur. Pengimi, shkatërrimi, zjarri apo metoda ekstreme nuk i rekomandoj sepse çdo vjedhës, është i gënjyer nga mafiozët e përmendur më lart.

Prona dhe ligji.
Njeriu, prona, shoqëria, kanë ekzistuar para ligjit. Ezistonte toka, prona, prandaj ekziston edhe ligji. Kur themi toka, kuptojmë pronën e thjeshtë që është bazë për të dhënë vlera kur e punojmë. Prona në kuptimin më të gjerë është e drejta që ka njeriu tek kapitali që përfshin, tokën plus punën. Prona është rrjedhojë e domos­doshme e natyrës së njeriut.
Njeriu që kur lind, është pronar, sepse nga krijuesi jeta nuk vazhdon po që se nuk shfytëzon pronën për ushqim. Kur iu dha jeta njeriut, nuk iu dha gjë tjetër e gatshme, veçse mundësisë për të punuar dhe kushtet e përshtatshme, tokën e ujin dhe pak tru për të përdorur këto mundësi. Njeriu gjatë jetës me punë e zmadhon pronën.
Sipas Robespierit, prona është e drejta që ka çdo qytetar për të gëzuar të mirat materiale që i janë garantuar me ligj. E drejta e pronës kufizohet nga detyrimi për të respektuar pronën e tjetrit. Në Amerikë ligji mbron si të drejtë natyrale pronën private. Liria këtu kuptohet si një e drejtë për të gezuar frutet e punës, e drejta për të punuar, për t’u pasuruar, për të eksperimentuar (vënë në jetë) mundësitë sipas kuptimit të tij, pa ndërhyrjen e shtetit, veçse në mbrojtje të tij me anë të ligjeve.

Pronat dhe pervetesuesit
E drejta e pronës është demokratike. Atje ku vidhet, ku grabitet me forcë, ka vetëm shtet anarkist. Çdo njeri në mënyrë legjitime posedon atë që është prodhim i punës së tij. Pronari i tokës, në mënyrë natyrale zotëron edhe vlerën, kapitalin që sjell puna kultivuese. Uji dhe ajri janë dhurata të krijuesit për njeriun.
Të gjitha shtetet e civilizuara, zhvillimin e tyre e kanë nisur me stabilizimin e ligjeve që kujdesen për pronën. Atje njerëzit kanë të drejtë, të plotë mbi pronën e tyre. Asnjeri nuk mund të privohet nga kjo e drejtë përndryshe flasim për cënim në të drejtën humane. Çdo njeri që vjen në këtë botë në vendet e civilizuara, ka diçka, tokë ose tjetër pasuri, sepse në këto vende ekziston sistemi i pronës private dhe respekti për të.
Pronë personale legjitime është çdo gjë që rrjedh nga puna, inteligjenca ose mënyra të tjera të aktivitetit të njeriut. Nga toka, brezat që vijnë më pas, githmonë gjejnë dy lloj prone. Pronën në origjinën e saj natyrale-tokën dhe kapitalin e krijuar nga puna në këtë tokë. Stërgjyshërit tanë jetonin në pyll dhe gëzonin katër të drejta natyrale: Gjuetinë, peshkimin, mbledhjen e ushqimit dhe kullotjen. Në vendet e civilizuara dhe të industrializuara ndodh shpesh që u hiqet kjo e drejtë natyrale.
Ligji është kthyer në një instrument në duar te ligjbërësve, në duar të kusarëve. Gjithmonë ligji ka brenda interesin, fitimin e disa individëve ose të një klase. Kush dëshiron të shohë ligje krejtësisht të drejta, plotësisht të rakorduara me ligjet e natyrës i gjeni në Kretë, Lakoni, Athinë dhe Romë të bëra nga Minos, Likurgu, Soloni dhe Numa. Me këto ligje Platoni projektonte modelin e të ardhmes, ai ishte babai i kombeve.
John Locke është libertariani më i madh i Amerikës (1632-1704). Në idetë e tij u mbështet Jefferson që botoi revisten “Federalist Papers”, ku bashkë me Aleksandër Hamilton dhe James Madison shkruan Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e sotme Amerikane. Idetë e Locke janë reflektuar pothuajse në të gjitha kushtetutat e vendeve me të përparuara të botës.
John Locke u mbështet në principet e Catos. Republikë dhe jo Perandori, udhëheqje kolegjiale dhe jo vetëm nga një person.28 Njerëzit kanë pasë të drejtat e tyre edhe para ekzis­tencës së qeverisë, prandaj qeveria duhet të ketë si qëllim t’i ruajë keto të drejta, përfshirë edhe të drejtën e pronës. Populli është i justifikuar në shpërndarjen e qeverisë kur ajo i tejkalon të drejtat e saj. Përfaqësues të veçantë nga çdo krahinë do të mbronin interesat e krahinës së tyre edhe më mirë. Kjo arrihet në sistemin Federal, ku pushteti qendror është i shpërndarë në pushtetin e krahinave ose kantoneve.
Çdo njeri ka pronën e tij personale. Pasuria nuk është frut i tokës por është vetë toka, sa më shumë tokë të kesh aq më i madh do të jetë prodhimi. Njeriu duhet nga natyra të këtë liri, barazi, pavarësi dhe pasuri. Aktiviteti i njeriut niset nga interesi. Një shoqëri është e mbarë kur jeton në paqe dhe e ka të sigurtë pronën e tij. Asgjë dhe asnjeri nuk ka të drejtë dhe fuqi të prishë dhe shkatërrojë pronën dhe jetën e tjetrit.
Shteti asnjëherë nuk ka të drejtë të përjashtojë ndonjë person nga pronat e tij pa dëshirën e pronarit. Çdo njeri duhet të krijojë pronën e tij pa patur frikë se ia merr shteti. Në qoftë se shteti të merr pronën, ose ta redukton atë në mënyrë arbitrare, atëherë shteti e vë veten në luftë me popullin. Mungon demo­kracia që siguron të drejtën e pronës, si rrjedhojë kemi tirani.
 “Anglezet për të ruajtur balancën e demokracisë u mbështeten tek filozofët e demokracisë greke dhe romake. Balanca ndërmjet njëshit (Mbretit) dhe disave (Lordëve), u arrit duke pranuar dhe përfaqësues të zgjedhur sipas pasurisë dhe tokës që dispononin.”29 
Më 1776, me ndarjen e saj nga Anglia, Amerika vendosi të ndërtojë sistemin e formimit të shtetit, jo mbretëri, por Republikë. Thomas Jeffersoni dhe John Adams formuluan Deklaratën e Pavarësisë duke u bazuar tek shprehja e fameshme e filozofit të tyre Lock, “Jeta, Liria, Toka”.

Kanuni
Traditat dhe zakonet më të domosdoshme për ekzistencën e shoqërisë janë përjetësuar në ligje të detyruara për t’u res­pektuar nga të gjithë. Në Shqipëri Kanuni i Lekë Duka­gjinit ka qenë një nga ligjet më të përparuara të asaj kohe, vlerat e të cilit janë reflektuar në shumë ligje të shteteve të botës.
Ja se si e përcakton tokën dhe lidhjen e saj me njeriun.
“Toka e të parëve do të ndahet me tërkuzë për vëlla.
Ara, vreshta, livadhi, xana, orgjia, prozhme e zabele, do të dahen për vëlla, sa njani tjetri.
Kujrija, mali e bjeshka do ta kenë së bashku, si për dru si për kullotë.” (Kreu 7-66)
“Shkaf a shpi, qi qet tym, do të ketë pronat e veta.
Plangi i shpis’ ka oborr e kopshte, ka vreshtë e arë, ka livadhe e xana, ka udhë e shteg, ka kufij si në mal, si në veri, si në fushë.
Të gjitha tymet kan pjesë në kujri.
Ara vreshta, kopshti e livadhi janë ndame me kufij.
Kujrija, mali e bjeshka, janë të përbashketa si për të ngulun të t’banave, si për landë e almistë, si edhe për dru.
Tokën e çelme një herë a për kopshte, a për arë, a për t’banë edhe në e lashtë djerr i zoti për qindra vjet, tjetërkush i katundit as i flamurit nuk mund të hyjë me e punue. Djalë mbas djali jet e tija, që e pat çelë i pari.” (Kreu 12-213, 214, 215, 216, 217).
“Secila tokë po kje arë a livadh kan të damet me kufi.
Kufini i ngulun një herë, nuk luhet ma.
Eshtrat e vorrit e guri i kufinit faqe kanunit janë baras. Me luejt kufinin asht si me luejt eshtrat e të dekunve.” (Kreu I 15-241, 242, 243).
Vazhdon…

Nuk ka komente:

Posto një koment