Në deklarimet e tyre në rrjetin social “Facebook”, dy socialistët pohuan dje se mbështetja e kryesocialistit ndaj PD-së në vitin 2005 mbetet një fakt që, sipas tyre, është i njohur nga mjaft deputetë socialistë. Në të njëjtën kohë, me deklarimet e tyre, Harasani dhe Keta hodhën poshtë pretendimin e kryetarit të PS-së, Rama, i cili mohoi dy ditë më parë që të ketë bashkëpunuar me kreun e mazhorancës për rrëzimin e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano.
Në këtë kontekst, ish-kryetarja e Forumit të Gruas të PS-së, bëri me dije se deklaratat e Kryeministrit mund të vërtetohen edhe më shumë nisur nga fakti se ajo ka qenë vetë një dëshmitare e përpjekjeve të kreut socialist për të rrëzuar Nanon nga pushteti në vitin 2005, ndërsa deputeti socialist, Harasani, nënvizon faktin se ishin demokratët që mbushnin sheshet e organizatës “Mjaft”, prapa së cilës ishte Rama dhe drejtuesit e saj, ku së fundmi morën disa poste në PS.
Deklaratat
Socialistët Andis Harasani dhe Majlinda Keta vlerësuan dje si plotësisht të vërtetë përfshirjen e kryesocialistit Edi Rama në rrëzimin e Fatos Nanos në vitin 2005. Kështu, duke iu referuar deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili gjatë një takimi me të rinjtë në qytetin e Durrësit risolli në kujtesë pikërisht këtë fakt, Keta dhe Harasani konfirmuan një bashkëpunim të tillë. Ish-kryetarja e Forumit të Gruas të PS-së, në adresën e saj personale në rrjetin social “Facebook”, bëri me dije se ajo është një dëshmitare që mund të vërtetojë në çdo kohë përpjekjet e Edi Ramës për të rrëzuar Nanon nga pushteti në vitin 2005. Madje, ajo ka shtuar se ka edhe shumë njerëz të tjerë që kanë qenë dikur në PS, të cilët mund të vërtetojnë se si është munduar Rama t'i nxiste kundër Nanos. “Ka shumë njerëz të tjerë që kanë qenë dikur në PS, të cilët mund të vërtetojnë se si është munduar Rama t'i nxiste kundër Nanos”, - theksoi ajo. Po ashtu edhe deputeti i PS-së, Andis Harasani e konfirmoi deklaratën e Kryeministrit Berisha, ku theksoi se ishin demokratët që mbushnin sheshet e organizatës “Mjaft”, prapa së cilës ishte Rama dhe drejtuesit saj, së fundmi morën disa poste në PS.
“Nuk besoj që ka socialist (nga ata që kanë qenë para 2005) që nuk e dinë që sheshet e Shqipërisë në çdo lëvizje e proteste të ish-“Mjaft”-it i mbushte PD-ja. Do ishte e pamoralshme të harrohej kjo”, - shkruante ai në faqen e tij “Facebook”. Nga ana tjetër deputeti socialist komentoi edhe refuzimin e tij për kryesimin e grupit për energjinë, detyrë që iu dha nga kryesocialisti Rama në mbledhjen e fundit të Asamblesë, me argumentin se një nga angazhimet për të cilat hoqi dorë, mund të jetë kryesimi i socialistëve të Tiranës. “Moszgjedhja e kreut të Tiranës dhe disa krerëve të rretheve është një ndër anomalitë e zhvillimeve në PS”, - pohoi Harasani. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi se Rama bashkëpunoi me të për rrëzimin e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 2005.
“Në fund ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se ato sheshet e “Mjaft”-it i mbushte PD-ja. Duhet ta shohësh të vërtetën siç është, në sy, sepse këtë e dinë të gjithë”, - tha kreu i ekzekutivit. Megjithëse të tilla deklarata u hodhën poshtë nga kreu i selisë rozë, Rama, si të pavërteta, dy socialistët Andis Harasani dhe Majlinda Keta i mbështetën dhe i cilësuan ato si të vërteta të pakundërshtueshme e të njohura nga të gjithë.
Nuk ka komente:
Posto një koment